• Korça

Të rinjtë dhe tregu i punës/ Interesi i të papunëve nuk përputhet me kërkesën e punëdhënësve

Pavarësisht se bizneset në Korçë vuajnë mungesën e fuqisë puntore, interesi i të rinjve për t’u punësuar, mbetet i ulët. Vende të lira pune ka kryesisht në sektorin e hoteleri-turizmit dhe atë të prodhimit, ndërkohë që të rinjtë, kryesisht ata të qytetit preferojnë të qëndrojnë të papunë, me arsyetimin se pagat janë të ulëta, apo se interesi i tyre nuk përputhet me kërkesën e punëdhënësve.

Një pjesë e të rinjve shprehen se nuk preferojnë të punësohen në biznesin vendas për shkak të pagave të ulëta, duke gjetur si zgjidhje punësimin jashtë vendit.

Por ka edhe nga ata të rinj të cilët sigurojnë vetë të ardhurat e tyre, pavarësisht kushteve të ofruara nga punëdhënësit.

Ndryshe nga të rinjtë e qytetit, ata të zonave rurale shfaqin më tepër interes për t’u punësuar, por e kanë të pamundur të jetojnë në Korçë, pasi shpenzimet janë të larta.

Aktualisht numri i punëkërkuesve të papunë regjistruar pranë Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive Korçë është mbi 6 mijë, prej të cilëve 616 janë të grupmoshës 15-29 vjeç, ndërkohë që vende të lira pune janë 320, kryesisht në sektorin e fasonerisë dhe hoteleri-turizmit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *