• Korça

“Sot një fidan nesër një pyll”. Nismë qytetare për të shtuar gjelbërimin në territorin e Bashkisë Korçë

Qytetarët korçarë kërkojnë të rikthejnë pyllëzimin në Parkun Kombëtar “Bredhi i Drenovës” si dhe atë në kodrat e qytetit. Ka mjaftuar thirrja “Sot një fidan, nesër një pyll” e shoqatës turistiko-mjedisore “Korça Alpin” që reagimi i qytetarëve korçarë, përfshi edhe ata që jetojnë jashtë vendit të jetë i menjëhershëm, duke kontribuar kështu me blerjen e fidanëve të llojeve të ndryshme. Një ditë më parë në Parkun Kombëtar “Bredhi i Drenovës” janë mbjellë 310 fidanë, kryesisht bredh, pishë e zezë, panjë dhe lajthi, ndërkohë që ditën e sotme në kodrat e qytetit janë mbjellë 380 fidanë të tjerë.

Nisma për pyllëzimin e zonave më të njohura të bashkisë së Korçës sipas Sara Muska, drejtore ekzekutive e “Korça Alpin”, do të vazhdojë pasi qytetaria korçare ka treguar gatishmërinë për të kontribuar financiarisht për shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara.

Nismës i janë bashkuar edhe Drejtoria Rajonale e Administratës së Zonave të Mbrojtura, Ndërrmarja e Shërbimeve Publike të Bashkisë Korçë, dhe Shoqëria “Administrimi i Mbetjeve të Qarkut Korçë”, të cilat kanë vënë në dispozicion logjistikën dhe burimet e tyre njerëzore.

Mbulesa pyjore e territorit të Bashkisë së Korçës është dëmtuar dhe zvogëluar ndjeshëm duke filluar nga vitet 90’. Vetëm Parku Kombëtar “Bredhi i Drenovës” dikur ka pasur 1400 ha, ndërsa tani vetëm 700 ha pasi ndër vite ka pësuar djegie të shumta. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me sipërfaqen pyjore në kodrat e qytetit. Nisma qytetare për të shtuar gjelbërimin në territorin e Bashkisë Korçë u ndërmorr në kuadër të 21 marsit, Ditës Botërore të Pyjeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *