Teksa duhen më pak se 3 javë nga starti i sezonit të ri në Kategorinë Superiore, Skënderbeu po përpiqet që të plotësojë edhe boshlleqet e fundit në skuadër dhe një repart që ka nevojë për përforcime duket sulmi. Korçarët kanë shkuar deri në Xhamajkë për të gjetur një sulmues dhe ia kanë dalë. Zhordan Fleçer është futbollisti i ri i Skënderbeut. Ai vjen nga Xhamajka dhe është 25 vjeç, ndërsa në Korçë e shohin si futbollistin që do zgjidhë problemin e shënimit të golave te skuadra bardhekuqe.
Fleçer ka mbërritur në qytetin e Korçës ditën e premte dhe tani është zyrtarisht pjesë e Skënderbeut, teksa menjëherë është vënë në shërbimet e trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Xhamajkani ka ardhur për të bërë golashënuesin dhe të gjithë mezi e prisnin një gjë të tillë. Prej kohësh, Skënderbeu po vuan mungësën e një sulmuesi “race” i cili mund të marrë për dore ekipin drejt fitoreve. Madje për të kujtuar një goleador të mirfilltë, korçarët duhet të kthehen pas në kohë, pasi një i tillë mungon ndoshta që nga koha e Hamdi Salihit. Shkodrani me golat e tij udhëhoqi Skënderbeun drejt një përiudhe të lavdishme si në Shqipëri, ashtu edhe në Kupat e Europës. Apo për t’u kthyer edhe më shumë kohë pas, kur golat në Korçë i shënonte Dhimitraq Xhambazi. Skënderbeu historikisht ka pasur në ekip sulmues “race’, nuhatës të golit ndaj të gjithë në Korçë shpresojnë qe xhamajkani Zhordan Fleçer të jetë ai lloj futbollisti i cili garanton gola dhe të udheheqë Skënderbeun drejt sukseseve në sezonin e ri që do fillojë pas disa ditësh.