Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2023 ka shënuar një numër të madh aplikimesh. Në total në të gjithë vendin kanë aplikuar mbi 68 mijë fermerë, ndërkohë që vetëm nga qarku i Korçës janë kryer mbi 13 mijë aplikime. Këtë e ka bërë të ditur për RTSH Korça Zv.Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, në një lidhje me skype. Sipas Jaupllarit ky fakt tregon për rritjen e interesit dhe të besueshmërisë së fermerëve në përthithjen e subvenconeve dhe skemave mbështetëse.
Më tej Jaupllari ka folur edhe për ndryshimin që pësoi këtë vit, masa e naftës falas për bujqësinë, duke rritur sipërfaqen e tokës, gjë që solli bashkimin e fermerëve për të përfituar mbështetjen.
Zv.Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arian Jaupllari, ka theksuar më tej se vetëm nëpërmjet bashkimit dhe kooperimit fermerët mund të bëhen faktor dhe konkurrentë në tregun ndërkombëtar. Gjithashtu ai ka vënë theksin edhe tek rritja e standardeve të sigurisë ushqimore, çka do ti hapte rrugën ekporteve me vendet e rajonit dhe më gjerë.