Mbyllen aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2023. Mbi 12 700 fermerë në qarkun e Korçës kanë aplikuar në skemën e këtij viti, për të përfituar financim në zgjerimin e aktivitetit të tyre bujqësor e blegtoral. Të dhënat zyrtare tregojnë për shifra rekord aplikimesh që rezultojnë disa herë më të larta nga viti i kaluar. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, qarku i Korçës renditet ndër qarqet me numrin më të lartë të aplikimeve këtë vit, në Skemën Kombëtare.
Sipas AZHBR-së, kryesisht fermerët e qarkut të Korçës kanë aplikuar për të përfituar mbështetje në sektorin e blegtorisë, bimëve mjekësore dhe bletari. Ndërkohë që numri më i lartë i fermerëve, shënohet në masën e naftës falas për bujqësinë. Burime zyrtare pranë Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Korçë, bëjnë me dije se këtë vit kanë aplikuar vetëm në masën e naftës 10 mijë e 924 fermerë, ndërkohë që në masat e tjera si blegtori, bletari e të tjera janë bërë në total 1850 aplikime. Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë 2023 adreson një fond prej 3,3 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit në mbështetje të fermerëve.
Përfitues janë fermerët e serrave dhe tuneleve plastike, vreshtave, blegtorët, bletarët, peshkatarët dhe atyre që kanë aplikuar për certifikimet Global Gap dhe Organike. Ndërkohë, skemat e vitit 2023 përfshijnë edhe grante për investime në asete fikse, për ndërtimin e tregjeve bujqësore dhe të kafshëve të gjalla dhe thertoret. Gjithashtu pjesë e skemave të mbështetjes janë edhe trajnimet dhe transferimi i njohurive në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, krahas skemës së naftës që vijon për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekë.