• Raportime

Situata në pikat kufitare. Në Kapshticë e Qafë Thanë lëvizje të pakta

Në prag të festës së Pashkës katolike, në pikat kufitare të qarkut të Korçës janë evidentuar lëvizje normale të udhëtarëve, pa krijuar fluks të lartë dhe radhë. Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë gjatë 24 orëve të fundit në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë hyrë 1754 shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe kanë dalë nga toka shqiptare drejt Greqisë 1718 të tjerë. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës ku bëhet e ditur se kanë hyrë në tokën shqiptare gjatë 24 orëve të fundit 1300 shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe kanë dalë drejt Maqedonisë së Veriut 1830 shtetas.

Autoritetet doganore në të dy pikat e kalimit kufitar kanë punuar me dy deri tre sportele duke i alternuar në varësi të lëvizjeve. Një situatë e tillë pritet të ndryshojë gjatë ditëve të ardhshme dhe për këtë autoritetet doganore janë duke marrë masa për përballimin e fluksit dhe menaxhimin sa më të mirë të hyrje daljeve. Ashtu si është vënë re edhe vitet e kaluara fluksi më i lartë i hyrje daljeve ndodh gjatë javës së pashkës ortodokse pasi emigrantët në Greqi shfrytëzojnë ditët e pushimit në shtetin grek për të ardhur në Shqipëri e për të takuar familjarët e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *