Ka nisur të rritet fluksi i lëvizjeve në pikat e kalimit kufitar në qarkun e Korçës. Një gjë e tillë ndodh për shkak të javës së madhe të pashkës ortodokse kur shumë emigrantë të cilët jetojnë e punojnë në shtetin grek marrin pushime duke ardhur kështu në Shqipëri për të takuar familjarët e tyre.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë bëjnë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës kanë hyrë nga Greqia në Shqipëri 2749 shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe kanë dalë 1793 të tjerë. Një fluks i shtuar lëvizje është evidentuar edhe në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës ku në 24 orët e fundit kanë hyrë 2227 shtetas shqiptarë dhe të huaj dhe kanë dalë nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut 2106 shtetas.
Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në të dyja këto pika doganore është duke u punuar me dy dhe tre sportele të cilat alternohen në hyrje dhe në dalje në varësi të fluksit të lëvizjeve. Pritet që në ditët e ardhshme me afrimin e pashkës ortodokse të shtohet edhe më shumë qarkullimi në kufi, ndërsa autoritetet shqiptare ashtu edhe ato të huaja janë duke marrë masa për mbarëvajtjen e punëve dhe mundësimin e kalimit normal të shtetasve pa krijuar radhë e pritje në pikat kufitare.