Një mbrëmje e veçantë është mbajtur në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës për publikun artdashës. Muzika e tabanit tonë popullor është sjellë me mjeshtëri nga klarinetisti i njohur Zhani Struga përmes koncertit të tij recital “Shpirti në klarinetë”.
Ka qënë vetëm 16 vjeç kur është ngjitur në skenën e madhe të festivalit të Gjirokastrës në krah të klarinetistit virtuoz Nevruz Nure dhe nga ajo ditë është ngjitur në shumë skena shqiptare por dhe ato shqipfolëse.
Këngëtari i njohur i muzikës popullore Endri Fifo nuk i kursen fjalët më të mira për klarinetistin Zhani Struga, pasi sipas tij është më i miri i muzikës popullore.
Pjesë e këtij koncerti ka qenë dhe mbesa e Zhani Strugës si për të treguar se familja e tyre i përket muzikës.
Ky koncert është mbajtur me rastin e 60 vjetorit të mjeshtrit të klarinetës dhe ka ardhur për publikun korçar si pjesë e kalendarit festiv të aktiviteteve që janë duke u zhvilluar në këtë prag festash.