Reshjet e dëborës të cilat vijojnë të jenë prezente në qarkun e Korçës, nuk po rezultojnë problematike për qarkullimin e automjeteve. Pavarëisht intensitetit të reshjeve në akset e fshatrave turistikë Dardhë, Voskopojë e Vithkuq kalohet normalisht.
Drejtuesit e mjeteve të cilët kanë qarkulluar në rrugët e juglindjes së vendit nuk kanë hasur vështirësi gjatë lëvizjes së tyre.
Ulja e temperaturave mund të sjellë prezencë të akullit në rrugë, ndaj dhe për këtë Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën apel drejtuesve të mjeteve që të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhira nëse do qarkullojnë në zonat që ka prezencë bore si dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.