Të blesh sot një apartament apo pronë në qytetin e Korçës kushton më shumë se vitet e kaluara. Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme rritja e çmimit të shitjes së pronave, ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë për blerje dhe mungesës së pronave për shitje.
Teksa një vit më parë çmimi i apartamenteve ndikohej nga rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit, aktualisht ndikon raporti mes kërkesës dhe ofertës, duke e rritur vlerën e pronës me 100-150 euro për metër katror.
Rritje kanë pësuar edhe çmimet e apartamenteve që lëshohen me qera, ku faktor kryesor është dhënia e pjesës më të madhe të tyre me qera ditore apo ardhja e studëntëve në qytet.
Ky është i disati vit që trendi i çmimeve të pasurive të palujtshme në Korçë është në rritje. Aktualisht nuk ka gjendje stok të apartamenteve për shitje, ndërsa kërkesa është e lartë, kryesisht nga çiftet e reja, emigrantët apo persona nga qytete të tjera të Shqipërisë.