Paga e mjekëve dhe infermierëve ka pësuar një rritje të konsiderueshme prej 59 mijë lekësh duke nisur prej muajit prill. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me mjekët në kryeqytet. Sipas tij kjo rritje page është edhe për mjekët specialistë edhe për ata të përgjithshëm, ndërsa edhe paga e infermierit ka shkuar në 72 mijë lekë.
Kjo është një rritje e konsiderueshme e cila nuk është kryer asnjëherë më parë është shprehur presidentja e Urdhërit të Mjekut për qarkun e Korçës, Vlefta Bejko. Ajo tha gjithashtu se kjo rritje e pagës mund të shërbejë edhe për frenimin e largimit të mjekëve dhe infermierëve nga vendi ynë.
Sipas kryeministrit një tjetër rritje për mjekët dhe infermierët do të ketë edhe vitin e ardhshëm kur është parashikuar që sërisht në muajin prill të rritet paga me 7%, duke shkuar në 174 mijë lekë për mjekët specialistë, 131 mijë lekë për mjekët e përgjithshëm dhe 87 mijë lekë për infermierët.