Vijon puna për rehabilitimin e stadiumit “Jovan Asko” në qytetin e Maliqit. Ndërhyrja po kryhet tek pjesa e tribunës ndërsa së shpejti pritet të shtrohet tapeti në mënyrë që të përmbyllet sistemimi i fushës me qëllim ofrimin e kushteve më të përshtatshme për ekipin e futbollit, për të zhvilluar seancat stërvitore por edhe për komunitetin e Maliqit për të zhvilluar aktivitete të ndryshme sportive e jo vetëm.
Projekti parashikon rritjen e numrit të shkallëve ndërsa tapeti me të cilin do të shtrohet fusha, është porositur në shtetin Turk e pritet të vijë së shpejti. Me punën që po kryhet, pritet të përmbushen standarded të cilat janë kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, për një stadium me kushtet optimale për sportin e futbollit, si edhe për të qenë sa më funksional e njëkohësisht do të shërbejë edhe për shkollat të cilat mund të shfrytëzojnë këto ambjente për orët mësimore të edukimit fizik e pse jo e për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme.
Një ndërhyrje tjetër do të ishte e nevojshme për godinat e këtij stadiumi, apo ambjenteve ndihmëse të cilat janë amortizuar, pasi që prej vitit 1991, kur u krye rrethimi dhe sistemimi i fushës dhe ngritja e shkallëve duke e kthyer në një stadium modest, nuk ka njohur ndërhyrje. Rehabilitimi i fushës nisi vetëm para 3 vitesh për të vijuar me punimet që po kryhen aktualisht.