• Raportime

Pushtimi fashist i Shqipërisë. 84 vite më parë trupat e Mussolinit vijnë në vend

84 vite më parë Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Konflikti erdhi si rezultat i politikës imperialiste të diktatorit italian Benito Mussolini. Pushtimi italian i Shqipërisë më 7 deri 12 prill 1939 ishte një fushatë e shkurtër ushtarake e Mbretërisë së Italisë kundër Mbretërisë së Shqipërisë e cila u pushtua në mënyrë të shpejtë. Më 7 prill trupat e Mussolinit, të drejtuara nga gjeneral Alfredo Guzzoni, sulmuan gjitha portet e Shqipërisë njëkohësisht. Italianët zbarkuan në Vlorë, Durrës, Shëngjin dhe Sarandë. Në Durrës, një forcë prej 500 shqiptarësh, xhandarësh dhe vullnetarësh, e udhëhequr nga Abaz Kupi, komandanti i xhandarmërisë së Durrësit, dhe Mujo Ulqinaku, i rezistuan forcave italiane. Të armatosur me armë të lehta dhe tre mitralozë, mbrojtësit rezistuan disa orë. Pas zbarkimit të një numri të madh të tankeve nga anijet, rezistenca u thye dhe brenda 5 orëve italianët morën qytetin.

Kur mëngjesin e 7 prillit 1939 filloi agresioni ushtarak italian kundër Shqipërisë, Zogu nuk i shpalli gjendjen e luftës Italisë dhe kjo u konsiderua si vetëvrasje politike e cila e dëmtoi jo vetëm atë por edhe Shqipërinë. Kjo çoi në trajtimin e Zogut në Perëndim si emigrant i zakonshëm dhe jo si kryetar i një shteti demokratik. Pasi grabiti arkën e financës shtetërore, Zogu u largua nga Shqipëria pa bërë asnjë deklaratë dhe sapo kaloi kufirin e shpërndau qeverinë duke e lënë Shqipërinë pa qeveri antifashiste. Me të dëgjuar këtë lajm, një masë e zemëruar njerëzish sulmoi burgjet, liroi të burgosurit dhe plaçkiti rezidencën e Zogut. Ndërkohë trupat italiane hynë në Tiranë dhe morën gjitha ndërtesat qeveritare. Kolonat e ushtarëve italianë marshuan drejt Shkodrës, Fierit dhe Elbasanit. Shkodra u dorëzua në mbrëmje pas 12 orëve luftime. Arratisja e Zogut krijoi në Shqipëri vakuum institucional, i cili i dha mundësi Benito Musolinit për të manipuluar statusin politik të Shqipërisë sipas interesave të Italisë fashiste. Më 12 prill një Asamble Kombëtare e përbërë nga kolaboracionistë të rekrutuar nga qarqet monarkiste zogiste dhe qarqet antizogistë në emigracion shpalli se në Shqipëri nuk kishte ndodhur okupacion ushtarak, por vetëm ndërrim i kreut të shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *