• Korça

Projekt i ri nga Jani Papadhimitri. Virtuozi i famshëm sjell albumin me 6 pjesë në piano

Jani Papadhimitri, si artist shumëplanësh mbetet një ndër figurat më të kompletuara në historinë e artit shqiptar modern, por ai mbetet gati unikal edhe në aspektin e rrugëtimit të karrierës së tij profesionale solistike e pedagogjike, prej gjysëm shekulli, karrierë e cila ka evoluar në tre vende, në Shqipëri, Greqi  e Kanada. Atë e gjen çdo verë në qytetin e Korçës, ku përveç pushimeve kërkon të sjellë edhe diçka të re që ti shërbejë artit. Këtë vit ai tregon se është duke përgatitur një album me gjashtë pjesë në piano, një album që synon të pasurojë repertorin pianistik të studentëve të rinj.

Violinisti dhe kompozitori Jani Papadhimitri ka lindur në një familje artistësh. Nëna e tij ishte piktorja e parë shqiptare, e mirënjohura Sofia Zengo Papadhimitri, ndërsa babai, skulptori-ksilograf Akilé Papadhimitri, edhe vëllai i tij Vangjush Papadhimitri gjithashtu është një ndër violinistët më të shquar të shkollës shqiptare të violinës. Mjeshtër Papadhimitri ka qenë për një kohë të gjatë koncertmaestër i Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit dhe më pas drejtor artistik i këtij institucioni deri në fund të viteve 80-të. Më pas emigroi në Greqi ku punoi si violinist në orkestrat më kryesore të vendit fqinj deri në momentin e emigrimit në Kanada. Në Greqi themeloi së bashku me vajzat edhe “Trio Fammus”. Violinisti i shquar dhe virtuoz Jani Papadhimitri, njëherazi dhe kompozitor e artist shumëplanësh është një ndër figurat më të spikatura dhe më autoritare të shkollës shqiptare të violinës dhe muzikës nga e cila kanë dalë shumë e shumë artistë instrumentistë, që sot e ushtrojnë me shumë sukses e dinjitet profesionin në të katër anët e botës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *