Rreth 60% e automjeteve që janë në qarkullim në Qarkun Korçë janë me moshë mbi 20 vjeçare duke shkaktuar edhe ndotje për mjedisin. Megjithatë, vitet e fundit vihet re një tendencë e zgjedhjes së mjeteve me moshë më të re që janë edhe më miqësore me mjedisin, jo vetëm sa i takon ndotjes së ajrit por edhe akustikës. Përgjegjësi i regjistrimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Korçë thotë se së fundmi, mjetet e regjistruara janë me një moshë rreth 10 vjeçare kjo lidhur edhe me faktin që tashmë mjetet duhet të përmbushin normën Euro 4 si një masë kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorrike.
Sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, mjetet me moshë më të madhe janë edhe rrezik për aksidente rrugore ndaj këshillojnë përdorimin e mjeteve me moshë më të re e me siguri më të lartë. Në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Korçë në muaj regjistrohen mesatarisht rreth 150 mjete të kategorive të ndryshme.