Finalizohet operacionin policor i koduar “Midnight 7”, si rezultat i së cilit janë vënë nën pranga 2 shtetas që transportonin kundrejt fitimit, me 2 automjete, 4 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar. Në pranga kanë rënë edhe 2 shtetas të tjerë, të cilët kontrollonin rrugën, me qëllim që të sinjalizonin 2 drejtuesit e automjeteve që transportonin emigrantët, nëse kishte shërbime të Policisë. Njërit prej bashkëpunëtorëve, iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike kanabis. Sekuestrohen 3 automjete, 4 aparate celulare, një shumë parash, një sasi kanabisi dhe dokumente identifikimi të emigrantëve.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. B., 26 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë; F. Xh., 29 vjeçe, banuese në Prizren, Kosovë; G. V., 25 vjeç, banues në Obeliq, Kosovë; I. A., 25 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për disa shtetas që do të transportonin kundrejt pagesës, emigrantë të paligjshëm, për të kaluar ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në Qafë Plloçë, bënë të mundur lokalizimin e automjetit tip “Volksëagen” me drejtues shtetasin B. B. dhe pasagjere shtetasen F. Xh., si dhe 2 automjeteve të tjera tip “Audi Q5”, me drejtues shtetasit G. V. dhe I. A. Sapo kanë konstatuar se ishin në ndjekje nga Policia, shtetasit I. A. dhe G. V. janë larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar.
Për të shmangur përgjegjësinë ligjore, ata kanë zbritur nga automjetet e tyre 4 emigrantët të cilëve iu kishin premtuar transportimin drejt BE-së, kundrejt fitimit. Shtetasi G. V., gjatë ndjekjes nga Policia, ka kryer manovra të rrezikshme me automjet, në rrugë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë, por më pas është kapur dhe neutralizuar. Nga hetimet e kryera, rezultoi se shtetasi B. B. dhe shtetasja F. Xh. qarkullonin me automjetin tip “Volksëagen”, përpara 2 automjeteve të tjera, me qëllim që të kontrollonin rrugën dhe të sinjalizonin shtetasit G. V. dhe I. A., për prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit B. B. iu gjet një sasi e vogël e dyshuar e lëndës narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.