• Korça

Normalizohet furnizimi me energji, grupet e OSHEE në gatishmëri

Normalizohet situata sa i takon furnizimit me energji elektrike në qarkun e Korçës. Nga rreth 500 abonentë që kishin mungesë të energjisë një ditë më parë, sot është vetëm 1 i tillë në zonën e Petrushës. Një gjë e tillë është bërë e mundur falë punës së grupeve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, të cilët kanë qenë në terren që nga dita e djeshme duke riparuar difektet dhe rilidhur energjinë elektrike në fshatrat e njësisë administrative Lekas në Korçë, në fshatrat Nicë, Stërkanj e Dërdushë në bashkinë e Maliqit, në fshatin Bulgarec në Korçë, si dhe në fshatrat Zharkanj e Novoselë në Kolonjë. Burimet zyrtare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Korçë bëjnë të ditur se situata vijon të jetë në monitorim për shkak të kohës së keqe me borë e erë në disa zona të qarkut, kohë që mund të sjellë sërisht shkëputjen e energjisë elektrike në fidra të ndryshëm. Për të përballuar çdo situatë OSHEE ka në gatishmëri disa grupe pune, ndërsa i bën thirrje abonentëve të njoftojnë për çdo problem apo difekt që hasin në rrjetin e shpërndarjes në mënyrë që problematikat të zgjidhen në një kohë sa më të shpejtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *