• Korça

Një piktor grek në “Ditët e Mios”/ Nikolaos Tamuxelis vjen për herë të parë si pjesë e kësaj kolonie

Nikolaos Tamuxelis është një piktor nga Greqia i cili vjen për herë të parë si pjesëmarrës në koloninë ndërkombëtare të arteve figurative “Ditët e Mios”. Përshtypjet e para ishin positive sa i takon atmosferës që gjeti në Korçë dhe mikpritjes së ofruar ndërsa me kënaqësi iu bashkua grupit të piktorëve nga vende të ndryshme, për të hedhur në telajo peizashe nga bukuritë e Korçës në stinën e vjeshtës. Ai zgjodhi që në pikturën e pare të sjellë një peisazh të qytetit duke pasqyruar shtëpitë e rrugicat karakteristike të lagjeve të vjetra të Korçës.

“Është hera e parë që vij në këtë koloni ndërkombëare këtu në Korçë dhe shoh që ka një interes shumë të madh, Për mua është një nder që Qendra e Artit dhe Kulturës më ftoi duke më dhënë këtë mundësi të jashtëzakonshme të gjendem sërisht në Korçë, me njerëzit, artistët, qytetarët me të cilët ne jemi shumë afër. Organizimi është perfekt, nga momenti i parë që ka ardhur më pritën shumë mirë, madje ndjehem si në shtëpi.  Sa i përket pikturës që po realizoj, zgjidha të hedh në telajo një këndvështrim të veçantë të Korçës, (min 2:27), nga ky vend panoramik ku mund të shohësh shtëpitë dhe rrugicat tradicionale me kalldrëm, me këtë vijë kulturore kaq të veçantë që e gjen në gjithë elementët e saj, në dritaret, dyert, kangjellat, duke përcjellë kështu një kulturë të madhe.”

Ftesa për të qenë pjesë e kolonisë, piktorit grek i ka ardhur nga miq të përbashkët mes dy vendeve, e që në momentin e parë ai shprehu entuziazmin për të qenë pjesë e kësaj kolonie. Madje rrëfen se kolegët e tij, kanë qenë pjesë e kolonisë së vitit të kaluar dhe janë kthyer në Greqi me mbresa të shkëlqyera ndaj dhe kjo ishte një arsye më shumë për të thënë po.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *