• Korça

Ngrohja në institucionet arsimore/ Mësimi zhvillohet normalisht, ngrohja e siguruar

Procesi mësimor ka vijuar normalisht në të gjitha institucionet arsimore të qarkut të Korçës, përfshi edhe ato të zonave të thella malore, pavarësisht temperaturave të ulëta që kanë shoqëruar ditët e fundit juglindjen e vendit. Burime nga Ndërmarrja Mbështetëse e Arsimit dhe Çerdheve bëhet e ditur se është bërë furnizimi me lëndë djegëse dru zjarri, naftë dhe gaz të lëngshëm, i të gjitha institucioneve arsimore në Bashkinë e Korçës, për periudhën e mbetur deri në mbyllje të sezonit dimëror.

Sa i përket institucioneve arsimore që janë në zonat e thella të Bashkisë së Korçës, si Panarit, Lekas, Gjonbabas, Marjan, Gjonomadh e Vithkuq, po sipas të njëjtave burime që prej fillimit të vitit shkollor janë furnizuar me dru zjarri për gjithë periudhën e dimrit. Nisur nga fakti se zona e Korçës karakterizohet nga një mot i ftohtë, prej dy vitesh tashmë është bërë e mundur falë një vendimi në Këshillin Bashkiak për shtimin e periudhës dimërore me 1 muaj, duke e shtrirë atë nga 1 nëntori deri në 31 mars. Drejtoria Mbështetëse e Arsimit dhe Çerdheve, ka nën administrim 76 institucione arsimore, në qytet dhe në fshatrat e bashkisë së Korçës, ku pjesa më e madhe e tyre kanë ngrohje me dru zjarri, ndërkohë që pjesa tjetër me kaldaja me naftë dhe me gaz. Burime pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë bëjnë me dije se edhe në bashkitë e tjera të qarkut janë marrë të gjitha masat për sigurimin e lëndës djegëse në të gjitha institucionet arsimore dhe deri në këto momente nuk ka patur probleme me ngrohjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *