Çdo universitet modern ka nevojë të ndërkombëtarizohet, si një faktor në cilësinë institucionale dhe vlerësimin e tij. Në këtë kuadër universiteti “Fan Stiljan Noli” në Korçë ka nënshkruar disa marrëveshje për programe të përbashkëta me universitete të vendeve të Bashkimit Europian. Rektori i Universitetit, Prof. dr. Dhimitri Bello bën të ditur se sapo është marrë aprovimi për një program të ri studimi master në menaxhim të qëndrueshëm në agroturizëm, një program i përbashkët me Universitetin e Plovdivit në Bullgari. Po ashtu pritet vendimi edhe për një program të nivelit të tretë në studimet doktorale që përfshin fushën e ballkanistikës.
Gjithashtu universiteti “Fan Stiljan Noli” është bërë pjesë e “Balkan University Center”, Forum i nëntë universiteteve nga Ballkani. Rektori i Universitetit, Prof. dr. Dhimitri Bello nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit gjatë një vizitë të tij në Bullgari. Ky Forum ka për qëllim bashkëpunimet konkrete në studimet ballkanistike të kërkimit, projekteve dhe programeve të përbashkëta të ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve.
Dimensioni ndërkombëtar dhe ndërkombëtarizimi janë prioritetet kryesore të veprimtarisë së Universitetit të Korçës. Objektiv është përfshirja në sa më shumë projekte zhvilluese akademike e shkencore në kuadrin e projekteve europiane të arsimit të lartë, projekte që mbi të gjitha targetojnë zhvillimin e stafit akademik si dhe mobilitetin e pedagogëve dhe studentëve.