Administrata Tatimore njofton të gjithë tatimpaguesit, se duke filluar nga periudha tatimore Mars 2023, librat e shitjes dhe blerjes nuk do të ngarkohen manualisht, në format excel nëpërmjet e-Filing. Ky zhvillim i ri mundëson tranferimin e të dhënave të librave automatikisht në e-Filing, pasi tatimpaguesit ti kenë mbyllur ato, në portalin SelfCare, nga data 1-10 të muajit pasardhës.
Përmes një njoftimi zyrtar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se subjektet të përfshirë në skemën e TVSH-së përpara se të kryejnë mbylljen e librave në Portalin Selfcare, duhet të verifikojnë të dhënat e transaksioneve dhe të kryejnë saktësimet përkatëse. Librat e shitjes dhe blerjes që nuk të mbyllen nga tatimpaguesit deri në datën 10 të çdo muaji, do të dorëzohen automatikisht nga sistemi në datë 11.
Referuar njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëse për periudhën e deklarimit, subjektet nuk kanë mundur të kryejnë saktësimin e të dhënave të faturave në libra apo i kanë mbyllur ata para datës 10 dhe kanë marrë edhe fatura të tjera (psh. Fatura të shërbimeve utilitare), atëherë kanë mundësinë që korrigjimin e të dhënave të librave t’a kryejnë manualisht, nëpërmjet llogarisë së tyre në e-Filing. Korrigjimi i librave duhet të kryhet vetëm në ato raste kur mund të vërtetohet mospërputhja e të dhënave të librave në Selfcare me ato që subjektet do të deklarojnë. Në këtë rast deklarata e TVSH-së do të vijojë të kryhet manualisht, sipas të dhënave të deklaruar në librat e shitjes dhe blerjes.