• Korça

Libra falas për 231 mijë nxënës, rritet buxheti për arsimin

Librat e shkollës do të vijojnë të jepen falas për 231 mijë nxënësit në të gjithë vendin nga klasa e 1 – 9, si dhe për rreth 18 mijë nxënës nga shtresat sociale në nevojë që ndjekin arsimin e mesëm. Lajmi është publikuar në rrjetet sociale ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë në buxhetin për arsimin për vitin 2024 qeveria shqiptare ka parashikuar një fond prej 52 miliardë e 223 milionë lekë, çka do të thotë një rritje prej 10,7% krahasuar me vitin aktual. Fondi i rritjes së pagave për mësuesit për vitin 2024 parashikohet në shumën 4 miliard lekë, përmes të cilit pagat do të rriten për më shumë se 30 mijë mësues në të gjithë vendin. Gjithashtu buxheti 2024 do të sigurojë transportin falas gjatë vitit për mbi 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues, si dhe do të mbështesë rreth 3,600 nxënës të arsimit parauniversitar nga shtresat sociale në nevojë. Brenda vitit 2024 do të përmbyllen edhe investimet në 30 shkolla të reja, do financohet zgjerimi i laboratorëve smart, si dhe do të mbështeten me bursa 3600 nxënës të familjeve në nevojë. Nga ana tjetër buxheti i vitit 2024 do të financojë një shumë prej 14 miliardë e 616 milionë lekë për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, do të sihurohet mbështetje financiare për më shumë se 50 mijë studentë, si dhe do të mbështeten investimet në infrastrukturën e godinave të arsimit të lartë. Me buxhetin 2024, sigurohet gjithashtu mbështetje për sportin shkollor, zgjerimin e ekipeve sportive dhe përfshirjen e mbi 10 mijë nxënësve në disiplinat e ndryshme sportive.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *