Kjo është Lirika Pojani, kostumografja korçare e cila i është dedikuar rikthimit në vëmendje të traditës së vjetër dhe ruajtjes së vlerave që ka populli ynë, përmes punimit të kostumeve popullore prej 15 vitesh. Gjatë këtyre viteve, për punën e saj, të cilën e realizon me aq kujdes e përkushtim, është vlerësuar edhe me një sërë çmimesh si ai i Kostumografes më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar Shkupi folk-fest, edicioni i 2-të në 2018, për kostumin më të mirë te realizuar prej saj për Ansamblin Skënderbeu i cili ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar Folklorik “Vitosha” në Bullgari vitin e kaluar, për kostumin më të bukur të realizuar në Karnavalet e Korçës në edicionin e 8-të, që ishte ai venecian, etj. Lirikën e gjetëm duke punuar ndërsa na shpjegoi se po risjell në jetë disa prej kostumeve popullore të zonës. Ideja erdhi nga një dëshirë e brendshme dhe dashuria që ajo ka për traditën e vjetër si edhe për të bukurën, pasi për Lirikën, këto kostume kanë një finesë e bukuri të rrallë.
Një ndër kostumet më të bukura popullore të zonës së Korçës është ai Dardhar, për të cilin kostumografja Pojani thotë se është një dashuri më vete ndërsa shpjegon gjithë detajet që e bëjnë atë kaq të veçantë. Puna për të risjellë këto kostume ka nisur me kërkimin e veshjeve origjinale e më pas me përshtatjen e materialeve për ti sjellë në këtë formë.
Stilistja Pojani thotë se ende ka interes për kostumet popullore dhe kërkesat më të shpeshta janë nga ata që jetojnë në emigrim.
Të gjitha punimet që Lirika Poajni është duke krijuar, ka dëshirën që ti prezantojnë për të gjithë ata që e duan traditën, artin dhe të bukurën, në një ekspozitë.
Kostumografja Lirika Pojani së fundmi ka qenë pjesë e aktivitetit “Gruaja- shpirti i thesareve tona etnografike”, i organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, kushtuar trashëgimisë kulturore.