Kandidatja e koalicionit Bashkë Fitojmë për bashkinë Korçë, Ledina Alolli ka kryer një takim me tregtarët në lagjen 9. Tregu i veshjeve që ndodhet aty është një prej pikave tradicionale ku në çdo kohë banorët e Korçës kanë marrë shërbime dhe produkte cilësore me çmime konkurruese. Alolli ka biseduar me tregtarët duke u njohur me shqetësimet dhe problematikat qe ata kanë gjatë punës së tyre të përditshme, ndërsa iu ka bërë të ditur edhe disa nga idetë e saj për zhvillimin e zonës dhe mbështetjen e bizneseve të kësaj zone.
“Tregtarët ndjehen të braktisur nga institucioni i Bashkisë. Duart e pushtetit ndërhyjnë vetëm për të vënë gjoba dhe për t’ua bërë çdo ditë e më të vështirë mbijetesën tregtarëve. Kur institucionet nuk kanë interes për jetën dhe mirëqenien e komuniteteve që përbëjnë një shoqëri, është koha për ndryshim!”
është shprehur kandidatja e koalicionit Bashkë Fitojmë gjatë takimit me tregtarët. Ajo gjithashtu u ka premtuar se bashkia nën drejtimin e saj do të marrë përsipër rikualifikimin e zonës çka do i japë më shumë jetë bizneseve si dhe do të sjellë edhe më shumë fluks të lëvizjeve në këtë treg.