Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar kontrollet në subjekte të ndryshme të Qarkut Korçë, duke marrë dhe një sërë masash administrative për shkeljet e kryera nga bizneset. 2 masa me vlerë nga 50 mijë lekë janë marrë për mungesë të etiketës së produkteve ushqimore në gjuhën shqipe, ndërsa 5 masa të tjera janë marrë gjatë muajit mars, për mungesë gjurmueshmërie të produkteve apo dhe tregtimin e produkteve me afat skadence të kaluar.
Burime pranë këtij Autoriteti bëjnë me dije se kontrollet ushtrohen në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që bizneset të operojnë konform ligjeve në fuqi si edhe për të siguruar konsumatorin mbi produktet që konsumojnë. Edhe nga vetë këta konsumatorë, ka ndërgjegjësim për kontrollin e produktit që blejnë, kryesisht duke u fokusuar tek data e skadencës por edhe bizneset e kanë kthyer në një praktikë pune, kontrollin e produktit që do u ofrojnë klientëve, qofshin ato shtazore dhe jo shtazore.
Sa i takon etiketimit të një produkti, një vendim i ri hyri në fuqi prej 19 korrikut të vitit 2020 “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”, ku parashikohet që në një etiketë, duhet të deklarohet edhe pasha neto, vlerat ushqimore, data e skadencës dhe një sërë elementësh të tjerë në mënyrë që konsumatori të ngelet i informuar mbi përmbajtjen e një produkti të caktuar, ndërsa shmanget njëkohësisht, edhe blerja e produkteve të falsifikuar.