Qytetit të Korçës do i shtohet një kampus i ri universitar i pagëzuar me emrin “Kompleksi i Dijes”. Projekti që do të financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon që të përfshijë një objekt të ri dhe kompleksin e godinave jashtë funksioni të ish-Sanatoriumit duke i integruar ato në formë miqësore me mjedisin dhe eficiente në energji.
Godina e re universitare do të ketë në përbërje të saj hapësira moderne për seminare, laboratorë, ambjente për ëork shop si dhe një bibliotekë. Ndërkohë në projekt thuhet se godina historike e ish sanatoriumit e cila datton në vitin 1935 e dhuruar nga filantropi Thoma Turtulli, do të vendoset rektorati, administrata si dhe zyrat e stafit e salla mbledhje. Deputeti i qarkut të Korçës Niko Peleshi në një postim në rrjetet sociale shprehet se me këtë kompleks universiteti Fan Noli siguron një infrastrukturë moderne dhe të mjaftueshme për të akomoduar jo vetëm studentët korçarë por edhe të tjerë nga Shqipëria e vendet e rajonit.
“Universiteti Fan S. Noli, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe bashkinë Korçë, tani duhet të punojë paralelisht për të bërë gati programet e reja në partneritet me universitetet e mirënjohura, që do të mbushin me studentë të shkëlqyer hapësirat moderne të këtij kompleksi të dijes”.
Kampusi i ri universitar pritet ta bëjë Korçën më atraktive për të rinjtë dhe profesionistët duke ofruar mundësi shkollimi bashkëkohore.