Komiteti Shqiptar i Helsinkit në kuadër të misionit të tij për mbrojtjen dhe promovimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe forcimin e shtetit të së drejtës, është duke monitoruar procesin parazgjedhor për zgjedhjet vendore të 14 majit. Këtë të enjte komiteti është ndalur tek dy Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve për Bashkinë e Korçës. Për drejtoren ekzekutive të Komitetit Shqiptar të Helsinkit Erida Skëndaj, ky monitorim tek KZAZ-të e 14 bashkive të vendit bëhet me qëllim për të parë sesi po zbatohet legjislacioni zgjedhor nga këto organe.
Më tej drejtorja Skëndaj është ndalur tek problematikat të cilat janë hasur gjatë kësaj periudhe në të gjitha bashkitë ku po kryhen monitorime.
Më pas përfaqësueset e Komitetit Shqiptar të Helsinkit janë ndalur në terren për të parë sa të informuar janë qytetarët e Korçës mbi fushatën zgjedhore, si dhe klimën nëse zgjedhësit janë të lirë në ushtrimin e të drejtës së votës.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka monitoruar të gjitha proceset zgjedhore të zhvilluara në Shqipëri, që nga viti 1996, duke vlerësuar respektimin e zbatimit të standardeve të Kopenhagenit, të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, si dhe ka përgatitur e prezantuar raporte lidhur me gjetjet dhe rekomandime për përmirësimin e situatës në këto drejtime.