“Koha e keqkuptimeve dhe çështja e grave”, është titulli i librit të botuar së fundmi nga shkrimtarja e mirënjohur korçare, Klara Çelo. Një libër dedikuar nënës së autores, që vendos në fokus gruan shqiptare, kryesisht atë korçare, të shfaqur në periudha të ndryshme kohore, si pjesë e pandashme e etnitetit kombëtar shqiptar duke patur një rol të pazëvendësueshëm në shoqërinë tonë. Është pikërisht ky imazh i femrës që Klara Çelo ka dashur të sjellë tek lexuesit nëpërmjet këtij botimi. Në fjalën e saj, autorja e librit, Klara Çelo u shpreh se gruaja ka qenë gjithnjë boshti i familjes dhe i shoqërisë.
Për gazetarin Erget Cenolli, libri ka një pasuri të madhe gjuhësore dhe është shkruar me qartësi dhe rrjedhshmëri të admirueshme nga autorja. Ai shtoi gjithashtu se të dyja gjinitë edhe të gjitha grup-moshat mund ta gjejnë veten tek ky libër.
Klara Çelo është autore edhe e dy librave të tjerë, “Udhëve të historisë” dhe “Dritë mbi vlerat shqiptare”. Gjithashtu ajo ka përkthyer nga gjuha rumune disa autorë si dhe disa romane nga frëngjishtja. Në aktivitetin promovues të këtij libri kanë marrë pjesë miq e të afërm të autores si dhe dashamirës të librit.