10 mijë e 600 fermerë nga qarku i Korçës, kanë aplikuar deri tani për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi. Skema kombëtare ofron nëntë masa mbështetëse, që mbulon pothuajse gjithë sektorët, por ajo që vihet re është interesi i lartë i fermerëve për masën mbështetëse të naftës.
Vullnet Gjolla drejtor i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor bën me dije se duke nisur nga data 20 mars kur janë hapur aplikimet për Skemën Kombëtare në Bujqësi, nga Korça vetëm për naftën kanë aplikuar 8820 fermerë. Sipas Gjollës duke parë interesin e shtuar të fermerëve pritet që këtë vit të shënohet një numër më i lartë aplikimesh në rang qarku, krahasuar me vitin e kaluar.
Pjesë e skemave të mbështetjes është edhe masa për naftën falas që vijon për të tretin vit radhazi me një buxhet prej 1.4 miliardë lekësh. Kjo masë ka shënuar edhe numrin më të lartë të aplikimeve nga fermerët e qarkut të Korçës.
Në skemën e këtij viti, ka një ndryshim në mbështetjen e fermerëve me naftë, pasi është rritur sipërfaqja bujqësore që do të mbështetet përmes këtyre fondeve. Nga 0.4 ha që ishte kriter për të përfituar mbështetjen me naftë, tashmë sipërfaqja bujqësore ka shkuar në 1 ha. Kjo ka bërë që shumë fermerë të bashkohen për të përfituar mbështetjen e për të patur kosto të ulëta.
Fermerët kanë afat të aplikojnë në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2023, deri në datën 11 prill të këtij viti. Nga ana e specialistëve të AREB, pranë Agropikës si dhe në çdo njësi administrative është duke u dhënën këshillim dhe asistencë për të gjithë fermerët.