Skënderbeu humbi shansin për t’u kurorëzuar kampion i Kategorisë së Parë një javë para mbylljes së kampionatit. Kishin 15 javë radhazi që shkëlqenin, por përballë Besës e pësuan. Gjithçka bëhet më e vështirë për titullin, sidomos kur dihet që ndeshjen e fundit do ta luajnë në transfertë me Lushnjës, një ekip që kërkon që t’i shpëtuar zonës së “play out”-it. E gjithë kjo situatë ka mërzitur pa masë trajnerin e bardhekuqve. Ivan Gvozdenoviç nuk mjaftohet vetëm me ngjitjen, por kërkon trofe.
“U kam kërkuar lojtarëve që të jemi të përqendruar, pasi nuk kemi mbaruar punë akoma me objektivin tonë kryesor. Unë dua ta mbyll sezonin me trofe dhe të kem motiv më shumë për të vijuar rrugëtimin këtu. Ua thashë që në ndeshjen e fundit se duhet përqendrim maksimal dhe mbi të gjitha mentalitet kampioni. Është specifike, pasi një top mund të ndryshojë gjithçka sa i përket rrugëtimit tonë. Tani kemi edhe një javë për të përgatitur. Luajmë me Lushnjën dhe të gjithë duhet të tregojnë se e meritojnë këtë fanellë. Duhet të na vijë keq për tifozët që nuk mundëm të ngriheshim në nivelin e tyre. Lushnja e bën më të vështirë takimin, pasi kërkon maksimumin. Ne duhet të bëjmë kampionët në fushë”.
Lini një Përgjigje