• Korça

Gvozdenoviç premton sukses. Trajneri bardhekuq fillon punën pas konfirmimit në krye të ekipit

Skënderbeu konfirmon edhe për një sezon Ivan Gvozdenoviç në krye të pankinës. Njoftimin për rinovim e ka dhënë faqja zyrtare e klubit bardhekuq, e cila ka sqaruar se pas një pjesë sezoni të suksesshme klubi dhe presidenti Takaj i kanë besuar Gvozdenoviçit ekipin edhe për një tjetër sezon tashmë në elitën e futbollit shqiptar. Natyrisht që nga ana tjetër rinovimi është konfirmuar edhe nga Gvozdenoviç i cili, është shprehur i kënaqur për besimin e dhënë nga ana e presidentit duke treguar gjithashtu edhe ambicjet për një sezon në Superiore kampionatin e ardhshëm.

“Jam shumë i lumtur që kemi arritur një akord me presidentin për të zgjatur bashkëpunimin tonë edhe për një tjetër sezon. Të them të drejtën ishte diçka që unë e doja me shumë forcë pasi ky klub dhe këto ngjyra tashmë kanë një simbolikë shumë të veçantë për mua dhe janë pjesë e zemrës sime. Falenderoj presidentin Takaj për bashkëpunimin dhe besimin që pati tek unë. Rezultatet besoj se ishin ato që justifikuan punën time tek ky ekip dhe më dhanë mundësinë që të jem sërish në krye të pankinës edhe në elitë. Unë e di se veç një nder për mua është edhe një përgjegjësi shumë e madhe por ambicjet e mia janë të mëdha dhe dua që këtë ekip ta shoh në krye edhe si trajner.”- theksoi fillimisht Ivan Gvozdenoviç.

Merkato: I ndalur tek planet e sezonit të rid he kërkesat që ka trajneri karshi klubit, Ivan Gvozdenoviç specifikoi se prej kohësh kanë filluar të ndërtohen piketat kryesore të ekipit për sezonin e ri. Sipas tij, Skënderbeu do të jetë një grup cilësor lojtarësh për të synuar vendet e larta të renditjes. Për këtë Ivan Gvozdenoviç kërkon të paktën pesë përforcime me qëllim që të krijojë grupin e duhur të lojtarëve. “Të jem i sinqertë ne prej kohësh kemi filluar të mendojmë për sezonin e ardhshëm dhe kemi vendosur piketat e para tek lojtarë që i shohim si shumë të duhur dhe të përshtatshëm për planet tona në Superiore. Nga bisedimet paraprake që kemi bërë me drejtuesit e klubit dhe presidentin kemi në plan të ndërjtojmë një ekip cilësor që të luftojë për vendet e para të renditjes. Ndaj edhe për këtë kemi vendosur që të afrojmë të paktën pesë lojtarë cilësorë në çdo repart. Lojtarë që do ti shtonin më shumë forcën elementëve që Skënderbeu i ka që në këtë sezon, dhe që kanë treguar vlerat e tyre.”- vijoi Gvozdenoviç. I ndalur tek dënimi i UEFA-s, trajneri bardhekuq nuk deshi të komentojë shumë duke u shprehur se është diçka që i përket zyrtarëve të klubit dhe jo pjesës së trajnerit apo stafit.

“Sa i përket dënimit, është hera e disatë që e dëgjoj dhe të them të drejtën nuk dua të komentoj më. Është diçka që i takon klubit dhe vetëm zyrtarët e klubit kanë të drejtë të flasin rreth saj. Unë jam trajner dhe përgjigjem vetëm për fushën. Normalisht si trajner do të ishte mirë të kishim një lajm pozitiv për sezonin e ri, pasi shton moralin dhe i jep një shtysë më shumë projektit ambicioz që Takaj ka për Skënderbeun.”- përfundoi Ivan Gvozdenoviç prononcimin e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *