• Korça

Gjimnazi “Ymer Dishnica” në Korçë/ Kushte bashkëkohore për nxënësit në këtë vit shkollor

Nxënësit e gjimnazit “Ymer Dishnica” në Korçë do e fillojnë vitin e ri shkollor në një godinë tërësisht të rikonstruktuar me kushte shumë të mira për zhvillimin e mësimit. Rikonstruksioni i këtij gjimnazi me vlerë 17,3 milionë lekësh nga Ministria e Arsimit dhe Sportit tashmë ka përfunduar, ndërsa kanë ardhur edhe pajisjet e reja ku përfshihen bankat, karriket, dërrasa të zeza, dollapë e pajiste të tjera të nevojshme për mirëfunksionimin e procesit mësimor. Në këtë godinë gjithçka është ndryshe, pasi rikonstruksioni është kryer në çdo detaj, si në instalimet elektrike, ato hidraulike, ngrohjen, suvatë e brendshme dhe të jashtme, shtrimin me pllaka, dyert e dritaret. Në pjesën e jashtme të godinës është ndërhyrë edhe për rikonstruksionin e terreneve sportive duke krijuar kushtet e duhura për zhvillimin e lëndës së edukimit fizik, ndërsa është menduar edhe për shkallët e emergjencës. Në gjimnazin Ymer Dishnica mësojnë rreth 340 nxënës, të cilët kryejnë procesin e rregullt mësimor por edhe ata të korresponcencës. Burime nga bashkia e Korçës bëjnë të ditur se projektet në përmirësimin e infrastrukturës shkollore janë prioritet, dhe se tashmë pritet nisja e rikonstruksionit të plotë të shkollës nëntëvjeçare Sevasti Qirjazi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *