Eventi muzikor kombëtar më i rëndësishëm, Festivali i Këngës në RTSH, do të çelë siparin mbrëmjen e nesërme në 19 dhjetor. Artistë të njohur të muzikës shqiptare e jo vetëm, të rinj dhe grupe alternative do të ngjiten në skenë në këtë edicion të 62-të Festivalit i cili vjen pas një pune kolosale për 4 netë me rradhë, në datat 19, 20,21 dhe 22 dhjetor. Teksti dhe harmonia muzikore janë elementet që do të vlerësohen nga një juri prestigjioze gjatë netëve të fundvitit, siç ka qenë standardi nga viti 1962, kur Festivali kurorëzoi Vaçe Zelën për herë të parë. Në këtë edicion janë përzgjedhur 31 këngëtare, mes tyre 17 debutantë ndërsa për herë të parë merr pjesë edhe këngëtari korçar Bledi Kaso, i cili do të konkurrojë me një baladë.
Nata e tretë e Festivalit të Këngës në RTSH , e cilësuar si “Nata e Nostalgjisë”, do të sjellë në skenë nga artistët pjesëmarrës në edicionin e 62-të të festivalit, këngët që kanë bërë histori. Ky festival përcakton përfaqësuesin shqiptar në ngjarjen më të rëndësishme të muzikës evropiane, në Eurovizion, që nga viti 2004. Për të gjithë ata që duan të shijojnë magjinë e këtij Festivali, biletat mund t’i blini online tek vivere.al si dhe tek sporteli i Pallatit të Kongreseve nga ora 12.00 deri 20.00.