Në 22 qershor 1950, në Kinemanë Morava të qytetit u zhvillua ceremonia e krijimit të teatrit profesionist të qytetit. ku morrën pjesë amatorë e artdashës. Për të pranishmit, kori i qytetit dha një program të zgjedhur me këngë patriotike dhe këngë qytetare korçare , ndërsa nga aktorët e trupës profesioniste u interpretuan disa fragmente të dramava dhe komedive të shfaqura më përpara. Ndër emrat e njohur që krijuan teatrin profesionist ishin regjisori Sokrat Mio, skenografi Vangjush Mio dhe aktorët Vangjel Grabocka, Dhimitër Trajçe, Krisanthi Kotmilo, Aleko Skali, Neta Vodica, Nuçi Shedollari, Qefsere Trako, Neki Zhgaba, Vani Trako dhe Misto Grabocka. Drama e parë e teatrit profesionit korçar ishte “Përmbysja” e shkrimtarit Boris Lavranjev, me regji të Sokrat Mios, skenografi të Kostaq Tushit, duke hyrë kështu në historinë e artit skenik korçar. Një ndër aktorët e parë të këtij teatri ka qenë Koço Qendro. Falë fuqisë së tij aktoriale, energjisë së brendshme, mimikës ekspresive, u ka rezistuar deri në moshën 96-vjeçare si askush tjetër sfidave të skenës.
Drejtuesit e Teatrit ndër vite kanë qenë Dhimitër Trajçe, Koço Kondakçi, Vangjo Vangjeli, Kiço Bibolli, Vangjel Grabocka, Nidha Shkodrani, Petraq Zoto, Sotiraq Çili, Spartak Koroveshi, Petrika Riza, Rolanx Karanxha e Zamira Kita
Kanë qenë të shumtë emrat e njohur që janë ngjtur në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” e që kanë përcjellë emocione tek publike me lojën e tyre, si Aleko Prodani, Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Llazi Sërbo, Thimi Filipi, Jani Riza, Dhimitër e Dhorkë Orgocka, Valentina Caci, etj që kanë shkruar historinë e këtij institucioni të rëndësishëm të artit dhe kulturës, që sot mirëpret dhe talentet e reja
Janë të shumtë artistët korçarë të cilët janë vlerësuar edhe me çmime të ndryshme në shenjë respekti e mirënjohjeje për përkushtimin e punën e tyre, si Urdhri Naim Frashëri, Mjeshtër i Madh, Qytetar Nderi, etj çka tregon një kulturë të përcjellë ndër breza e një dashuri të madhe për artin