Me qëllim sensibilizimin e komunitetit, në lidhje me rëndësinë që ka shëndeti, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Korçë ka zhvilluar një aktivitet në kuadër të ditës botërore të shëndetit, duke synuar rritjen e edukatës shëndetësore të popullatës. Gjatë këtij aktiviteti është ofruar matja e tensionit arterial dhe glicemisë falas për kalimtarët e rastit, si dhe janë shpërndarë edhe broshura informuese.
Dita botërore e shëndetit festohet çdo vit në 7 prill, datë e cila përkon me themelimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo ditë shërben për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet shëndetësore dhe për të promovuar rëndësinë e kujdesit të barabartë shëndetësor për të gjithë.