Dhuna është rikthyer në Kategorinë e Dytë, teksa ndeshja Shkumbini-Delvina është ndërprerë në minutën e 10-të për të mos vazhduar më. Pas golit të Delvinës me autor Mustën, pati një sherr masiv mes drejtuesve të Shkumbinit dhe stafit të Delvinës. Në zënkë u përfshinë edhe lojtarët dhe pas 20 minutash ndërprerje, gjyqtari Klajdi Qëndraj ka vendosur që takimi të mos vazhdojë për arsye sigurie.
Forcat e rendit ndërhynë dhe skuadrat më pas u futën në dhomat e zhveshjes. Policia ka njoftuar më pas pas se ka nisur procedimi penal për shefin e klubit të Shkumbinit, F.H. 52 vjeç dhe trajnerin e Delvinës, A.G. 66 vjeç. Ata janë proceduar për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”. Pas ndërprerjes së ndeshjes nga ana e gjyqtarit, policia bëri shoqërimin e lojtarëve të Delvinës jashtë qarkut të Elbasanit.
Klubi i Shkumbinit ka pretenduar se është provokuar nga lojtarët dhe stafi teknik i skuadrës delvinjot, ndërsa këta të fundit i hedhin poshtë këto pretendime dhe presin vendimin e Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.