Arges Ali është student i vitit të parë në programin “Agroushqim” në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Korçës. Ai është një prej përfituesve të bursës së studimit me vlerë mujore sa paga minimale, pasi ka zgjedhur të ndjekë studimet në një prej degëve të shpallura si prioritet kombëtar.
Në universitetin e Korçës pagën minimale e kanë përfituar 24 studentë në 10 programe studimi, 9 prej të cilëve janë në fakultetin e bujqësisë. Përzgjedhja e studentëve është bërë në bazë të notës mesatare të shkollës së mesme.
Studentët që kanë zgjedhur degët prioritare e përfitojnë këtë bursë gjatë të gjitha viteve të studimi. Ndërkohë detyrimi i tyre është që pas diplomimit të qëndrojnë 3 vite të japin kontribut për vendin.