• Sport

Choupo-Moting e Gnabry shënojnë, Bayern eliminon PSG-në

Liga e Kampioneve ka luajtur të mërkurën në mbrëmje takimit e kthimit të turit të 16-shes dhe, pasi ka njohur të martën dy çerekfinalistet e para, veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit ka njohur edhe dy çerekfinaliste të tjera. Dhe supersfida e mbrëmjes, Bajern i Mynihut – Paris Sen Zhërmen erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, së bashku me emisionin e posaçëm të Ligës së Kampioneve. Në fakt, pjesa e parë e sfidës së luajtur në Gjermani, ka parë një lojë të hapur, me francezët që kërkonin përmbysjen e asaj humbjeje minimale të pësuar në Paris në ndeshjen e parë dhe me bavarezët që synojnë të gjejnë golin që do t’ua vështirësonte edhe më tepër miqve jetën.

Dhe rastet nuk kanë munguar, në të dyja skajet, por mbi të gjitha spikati ai i minutës së 37-të, kur gardiani zviceran i portës bavareze, Somer, gabon brenda zonës dhe Vitinja godet me kuadratin e boshatisur, por De Ligt bën mrekullinë për vendasit, duke e larguar topin në vijën fatale dhe duke u mohuar parizienëve golin. Me rrjeta të paprekura mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat nisin po aq vrullshëm dhe në minutën e 51-të, Bajerni e ka gjetur golin. Edhe pse ai do të anulohet për pozicion jashtëloje, bavarezët do ta gjejnë golin që vlen 10 minuta më pas, kur Gorecka fiton topin në zonë dhe pason për Shupo-Moting, që nuk gabon dhe përshëndet rrjetën.

Paris SG-ja do të hidhet në sulm, teksa nuk ka më ç’të humbasë dhe Sergio Ramos godet me kokë brenda zonës pas një goditjeje këndi, por instinktet e Somerit mbajnë të paprekur rrjetën e tij. Bajerni do ta administrojë epërsinë minimale, përtej trysninë dhe këmbënguljes së francezeve, duke vijuar madje të gjejë edhe golin e dytë, në minutën e 89-të, me autor Serzh Gnabrin.

Nuk ka më histori përtej 5 minutave shtesë dhe Bajerni i Mynihut e mposht Paris SG-në 2-0 dhe siguron vendin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve, ndërsa aventura e francezëve në Evropë mbyllet këtu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *