65 nxënës të shkollave të mesme kanë marrë bursa nga bashkia e Korçës si një vlerësim dhe mirënjohje për rezultatet e shkëlqyera në mësime. Teodor Mosko është njëri nga ekselentët korçarë i cili mëson në gjimnazin Raqi Qirinxhi, këtë vit në klasën e 12-të. Ai shprehet se të kesh rezultate maksimale në mësime nuk është vetëm një ndjesi e bukur por edhe një ndihmë mjaft e madhe për jetën në vijim.
Ky është viti i 14-të që bashkia e Korçës jep bursa për nxënësit e shkëlqyer në mësime. Janë në total 1000 nxënës të vlerësuar gjatë viteve, përmes këtij programi i cili synon të mbështesë më të mirët e gjimnazeve të bashkisë Korçë, kjo me qëllim krijimin e modeleve të suksesshme për të rinjtë dhe të rejat.
Nxënësit e shkëlqyer kanë qenë pjesë e gjimnazeve publike dhe jopublike të qytetit të Korçës. Pjesë e aktivitetit kanë qenë edhe prindërit e tyre të cilët kanë shprehur kënaqësinë për arritjet e fëmijëve të tyre. Projekti i bashkisë Bursa për ekselentët synon të vijojë edhe në vitet në vazhdim duke rritur edhe vlerën materiale të bursës për të gjithë nxënësit e shkëlqyer.