Gjatë ditës së hënë, Qarku i korçës u përfshi nga reshjet e shiut, të cilat në një pjesë të fushës së Korçës por edhe në fshatra të Pogradecit janë shoqëruar edhe me breshër. Në zonat malore, intensiteti i breshërit në veçanti në Vithkuq e Shtyllë ka qënë më i madh. Në lartësitë mbi 1300 metra ka pasur shi të përzier me reshje bore që kanë sjellë dhe ulje të temperaturave.
Fatmirësisht ky breshër nuk ka shkaktuar dëme bën me dije Specialisti i Mbrojtjes së Bimëve Arben Hysolli, ndërsa shton se nëse temperaturat ulen në disa gradë nën zero, egziston mundësia që të shkaktojnë dëme në frutikulturë, kryesisht në qershi dhe kumbull, kjo pasi këta drufrutorë janë në fazën e lulëzimit ndërsa përjashton mundësinë e dëmtimit në pemtoret me mollë. Ndaj Hysolli këshillon fermerët të marrin një sërë masash siç është ndezja e zjarreve në krye të parcelave me qëllim rritjen e temperaturës së ambjentit në sipërfaqet e mbjella me drufrutorë si dhe përdorimin e stimulantëve të rritjes së bimëve për tejkalimin e streseve të natyrave të ndryshme, duke përfshirë këtu, produkte me përmbajtje të aminoacideve
Mollët, qershitë dhe kumbullat janë 3 fruta që kultivohen masivisht në Qarkun e Korçës. Gjatë vitit që lamë pas, me mollë u mbollën mbi 2400 HA, mbi 430 HA me kumbulla si dhe me qershi u mbollën mbi 500 HA.