• Korça

Borë në mars, ulen temperaturat. Korçë, reshje të pakta dëbore, akset rrugore pa plobleme

Rikthehen reshjet e dëborës në zonat e thella malore të qarkut të Korçës, kryesisht në lartësitë mbi 1350 metra. Reshjet e dëborës kanë qënë të pakta deri në mesatare, ku  trashësia në këto zona ka shkuar deri në 3 cm. Një gjë e tillë bëhet me dije nga specialistët e Autoritetit Rrugor Shqiptar sektori Korçë, të cilët bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit të sotëm reshje dëbore ka pasur edhe në zonën e Dardhës, kryesisht nga zona e njohur si Muri i Musait, e deri në majë të Bigllës, aty ku lartësia shkon mbi 1600 metra.

Pas mesditës reshje dëbore ka patur edhe në qytetin e Korçës. Po sipas të njëjtave burime në aksin rrugor Korçë-Ersekë, Korçë-Voskopojë dhe në akset e tjera, ka patur reshje shiu. Në të gjitha akset rrugore nacionale dhe turistike, nuk paraqiten probleme dimërore në rrugë, teksa firmat kontraktore janë në gadishmëri për Mirëmbajtje Dimërore dhe për Mirëmbajtje Emergjente.

Gjithashtu burime nga Prefektura Korçë bëjnë me dije se reshje dëbore ka pasur edhe në zonën e Vithkuqit kryesisht në Shtyllë dhe në Mashkullorë, ku trashësia e borës ka shkuar deri në 5 cm. Reshjet nuk kanë shkaktuar probleme përsa i përket qarkullimit rrugor në këto zona malore. Nisur nga reshjet e dëborës që priten të jenë prezente edhe gjatë orëve në vazhdim, si dhe uljes së temperaturave, specialistët e e Autoritetit Rrugor Shqiptar sektori Korçë, këshillojnë drejtuesit e mjeteve që do të lëvizin në zonat malore që të përdorin goma dimërore në automjetet e tyre.

Nga ana e OSHEE-së nuk raportohen probleme sa i përket furnizimit me energji elektrike në zonat e thella malore të qarkut të Korçës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *