Në prag të festave të fundvitit, pensionistët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim. Ndërsa ende nuk është bërë e ditur data se kur do të nisë tërheqja e këtij shpërblimi, pensionistët ndahen në dy kategori, tek ata persona të cilët janë të kënaqur me këtë shumë që u ofrohet si ndihmë për shpenzimet e fundvitit dhe një pjesë që e gjykon të pamjaftueshme këtë vlerë.
Bonusi i fundvitit shënon ndërhyrjen e tretë brenda vitit, sa i takon bonuseve të ndara për pensionistët. Një bonus tjetër është ndarë në muajin prill në vlerën e 5 mijë lekëve e mundësuar nga mbledhja e të ardhurave nga taksa e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë dhe në muajin shtator u krye indeksimi i të gjitha kategorive të pensioneve nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.