Në poliklinikën e Spitalit Rajonal të Korçës është instaluar aparatura e re për matjen e densimetrisë kockore (Dexa), e cila mundëson diagnostikimin në kohë të problematikave shëndetësore lidhur me sëmundjet rheumatologjike, onkologjike dhe endokrinologjike. Instalimi i kësaj aparature moderne rrit gamën e shërbimeve të ofruara në sistemin shëndetësor publik duke forcuar dhe kapacitetet e burimeve njerëzore për të kryer ekzaminime më shpejt. Dexa është aparat që përdoret për diagnostikimin e sëmundjes së osteoporozës, e cila ndodh më tepër te gratë mbi moshën 50 vjeç dhe në meshkujt mbi 60. Nëpërmjet skemës së referimit qytetarët tashmë mund të kryejnë falas këtë test pranë poliklinikës së qytetit.
Sipas mjekut Jordhani në poliklinikën e Korçës kryhen çdo ditë 15-20 ekzaminime në ditë, prej të cilave 60% e pacientëve diagnostikohen me osteoporozë.
Ky është një ndër testet më të rëndësishme për të përcaktuar kujdesin e hershëm që duhet të ndiqet në trajtimin e sëmundjes së osteoporozës, apo edhe ndërlikimeve të tjera që mund të prekin kockat. Nga të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 13% – 18% e grave pas moshës 50 vjeç kanë gjasa të vuajnë nga osteoporoza dhe 70% e moshës mbi 80 vjeç.