• Korça

Alibeaj në Korçë: E vetmja alternativë e djathtë është Partia Demokratike

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj u ndal në Korçë ku zhvilloi një takim me mbështetës të kësaj force politike. Alibeaj theksoi se demokratët e Korçës e kanë të qartë se më 14 maj, e vetmja alternativë e djathtë është Partia Demokratike.

“Prandaj nga Korça, i bëmë thirrje demokratëve korçarë dhe gjithë Shqipërisë, për të votuar masivisht numrin 9, Partinë Demokratike të Shqipërisë. Vota për Partinë Demokratike në 14 maj, është një votë që shikon drejt së ardhmes të së djathtës shqiptare. Çdo votë për alternativat e tjera, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike, është një votë që na çon në të shkuarën. Demokratët e Korçës ishin të vetëdijshëm për rëndësinë që kanë zgjedhjet e 14 majit për Partinë Demokratike”, vuri në dukje Alibeaj.

Kreu në detyrë i Partisë Demokratike shprehu vendosmërinë për ringritjen e PD-së, pavarësisht vështirësive që ka kaluar në vitin e fundit.

“Për këtë qëllim lipset kontributi i gjithsecilit që kërkon një parti më demokratike, më parimore dhe më të drejtë. I falënderoj demokratët e Korçës, të cilët nuk heqin dorë asnjëherë nga bindjet dhe nga vlerat e tyre. Me demokratë të tillë, e ardhmja e kësaj partie është e sigurtë. Pengesat nuk na stepin aspak. Përkundrazi, na bëjnë më të fortë për të vazhduar në rrugën tonë të përbashkët. Rruga jonë e përbashkët ka vetëm një qëllim: krijimin e një të djathte moderne dhe euroatlantike. Një e djathtë e cila i shërben interesit të qytetarëve dhe të Shqipërisë”, deklaroi Alibeaj gjatë takimit të zhvilluar në Korçë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *