Ardhja e pranverës dhe çelja e luleve, sjell edhe shtimin e alergjive, kryesisht në rrugët respiratore. Mjekët alergologë në Korçë nuk kanë pasur fluks vizitash gjatë kësaj periudhe, pasi edhe rreshjet e ditëve kanë bërë që të reduktohen polenet në ajër, që njihen si një ndër faktorët më të shpeshtë të alergjisë së pranverës.
Megjithatë, mjekët këshillojnë personat të cilët preken nga alergjitë stinore, të tregojnë kujdes, kjo duke shmangur daljet në orët e përqëndrimit më të madh të poleneve në atmosferë, rrugët me trafik dhe mjedise të gjelbra, aktivitetet në natyrë në ditët me diell dhe erë, mbajtjen e një maske kundër pluhurit etj. Simptomat kryesore që shfaqen tek personat alergjikë ndaj pluhurit dhe polenit të luleve janë skuqja e syve, lotimi dhe kruarja e tyre ndërsa kanë prezente gjatë gjithë kohës, teshtimat.
Nëse këta persona, kanë shenjat kryesore të një rrufe alergjike kjo mund të sjellë edhe bllokim hundësh dhe skerecione si dhe praninë e një kolle të thatë, shenja të cilat nuk duhen neglizhuar, madje për të shmangur komplikacionet, mjekët alergologë këshillojnë marrjen e medikamenteve përkatëse. Alergjitë mund të shfaqen në çdo grupmoshë. Kujdesi më i veçantë duhet të tregohet tek fëmijët dhe kryesisht tek ata që fillojnë të kurohen që në fillimet e alergjisë, për të mos lejuar rëndimin e situatës së tyre shëndetësore.