Qeveria shqiptare ka nisur një diskutim të gjerë publik me pensionistët për të adresuar një detyrim të kahershëm dhe një kërkesë legjitime për reformimin e skemës së pensioneve. Në këtë kuadër, Drejtuesi Politik i Qarkut të Korçës, Niko Peleshi, gjatë një takimi me pensionistët korçarë, theksoi se rritja e pensioneve nuk është më çështje indeksimi, por një reformë thelbësore që do të shfrytëzojë mundësitë që krijon rritja e ekonomisë për gjithë shoqërinë.
Peleshi theksoi rëndësinë e luftës kundër informalitetit, duke përmendur se shumë biznese nuk deklarojnë pagat reale, duke ulur kështu nivelin e kontributeve në skemën e sigurimeve shoqërore, që ndikon drejtpërdrejt në nivelin e pensioneve. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi nënvizoi se synimi për Shqipërinë 2030 është të arrijë standardet e BE-së, duke garantuar një ekonomi të fortë dhe më shumë mirëqenie për qytetarët.
Takimet me pensionistët do të vazhdojnë në gjithë Shqipërinë për të diskutuar më tej reformën që synon të garantojë një pension të denjë për çdo qytetar.