Kombëtarja U-15 barazoi 1-1 në ndeshjen e parë miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, sfidë e cila u luajt pasditen e së enjtes në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” në Pogradec. Një ndeshje e luftuar nga të dyja skuadrat që në fund u mbyll me paqe. Shqipëria U-15 dominoi takimin që në startin e ndeshjes dhe krijoi disa raste të mira shënimi, por goli erdhi vetëm në të 34-ën me Mattia Xhemalin. Sulmuesi realizoi një gol shumë të bukur dhe pjesa e parë u mbyll 1-0 për kuqezinjtë. Gjatë fraksionit të dytë, trajneri Armand Dama kreu disa zëvendësime në fushë, duke u dhënë mundësinë thuajse të gjithë lojtarëve të tregojnë cilësitë e tyre. Maqedonia e Veriut gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 80-të dhe vendosi baraspeshën. Pavarësisht pësimit të golit, Shqipëria nuk e uli ritmin dhe vetëm pas dy minutash fitoi një 11-metërsh, por gjuajtja e Rian Nezës u ndal nga portieri kundërshtar. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe miqësorja e parë u mbyll në barazim 1-1.
Takimi i dytë miqësor Shqipëri U15 – Maqedoni e Veriut U15, do të luhet të shtunën më 24 gusht në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë, në oren 17:00.