• Korça

Eleina Qirici shpall kandidaturën/ PD e Rithemeluar Korçë në proces zgjedhor

Pas dorëheqjes së kryetarit të Partisë Demokratike të Rithemeluar në Korçë Devis Osmani, kjo forcë politike ka hyrë në proces zgjedhor për kryetarin e ri të degës. Kandidatura e parë e bërë publike ka qenë ajo e ish deputetes Eleina Qirici, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka shprehur ambicjen dhe angazhimin e saj për kryetare të kësaj dege. Ndër të tjera ajo shprehet:

“Dega e Partisë Demokratike Korçë, pas një tronditje artificiale politike me qëllim shkatërrimin, si dhe të gjitha Degët e tjera, kaloi një periudhë tejet të vështirë, por sërish qëndroi dhe sot është e bindur për të marrë sërish fizionominë dhe funksionin e një strukture politike, që ka një detyrim ndaj korçarëve dhe shqiptarëve, konsolidimin  e saj, opozitarismin permanent, fjalën vitale dhe të vërtetë, rrëzimin e qeverisë kartel dhe qeverisjen e vendit me njerëzit më të mirë dhe më të përgjegjshëm, politikisht solidë në linjën e PDSH (dhe ka shumë të tillë në PD)”

Në Degën e PD Korçë, largimi mes dorëheqjes së kryetarit të Degës në muajin mars 2024, risjell anëtarësinë e Korçës, në një periudhë tjetër organizimi, konsolidimi dhe rigjenerimi, aksioni dhe veprimi, sepse të tilla janë periudhat zgjedhore endopartiake në PD, për të votuar dhe zgjedhur kryetarin e saj.

Demokrate dhe demokratë, mikesha dhe miq

Ju njoftoj se kandidoj (pasi u shpall  periudha zgjedhore), për postin e Kryetarit të PD Dega Korçë”.

Sipas shkresës së dërguar prej datës 5 prill nga kryesia e Partisë Demokratike të Rithemeluar, zgjedhjet në degën e Korçës duhet të organizohen brenda 45 ditësh, ndërsa është komanduar nënkryetari i degës Dhimitri Çyfeku në pozicionin e kryetarit të degës deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *