Prona është shkak i ngjarjes së një nate më parë në qytetin e Korçës ku mbetën të vdekur dy persona. Burime të siguruara pranë grupit të hetimit bëjnë me dije se Ilo Lluka 61 vjeç prej kohesh banues në Greqi ka ardhur disa ditë më parë pasi ishte në proces gjyqësor me babain e tij për një apartament në qytetin juglindor, të cilin, mësohet se babai kishte vendosur tja kalonte në pronësi 37 vjecarit Emiliano Pine allias Jorgo Prifti. Te njëjtat burime thanë se babai i Ilo Llukës jetonte në familjen e Emiliano Pines se bashku me të bashkëshorten e këtij të fundit dhe nënën e tij, të cilët kujdeseshin për të moshuarin. Kjo ka qënë shkaku prej të cilit ka nisur konflikti duke përfunduar më pas tragjikisht me dy viktima. Banorët e zonës ku ndodhi ngjarja flasin të shokuar rreth krimit që tronditi qytetin teksa tregojnë se familja jetonte me qera. Ndërkohë që babai i autorit të ngjarjes bashkëjetonte me familjen e Emiljanos prej 4 vitesh. Nëna e Emiljanos kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. Sipas banorëve, babai i Emiljanos kishte 1 vit që kishte ndërruar jetë dhe ata e vazhdonin bashkëjetesën.
Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se pista kryesore e hetimeve mbetet trashëgimia e një apartamenti në pronësi të babait të autorit të ngjarjes, i cili donte tja linte si trashëgimi djalit të kujdestares. Ilo Lluka ishte emigrant, jetonte në Greqi dhe pasi ka marrë vesh vendimin e të atit për shtëpinë, është kthyer nga shteti grek dhe mbrëmjen e djeshme vrau Emiljanon e më pas veten. 61 vjeçari Lluka njihet si përdorues i pijeve alkoolike ndërsa ekspertiza mjeko ligjore ende nuk e ka konfirmuar nëse ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur kreu krimin.