Aksi rrugor Elbasan Qafë Thanë pjesë e korridorit të VIII, ka nisur të asfaltohet në lotin e parë të tij. Punimet për ndërtimit e këtij aksi avancuan me ritme të shpejta dhe brenda pak javësh ky lot me gjatësi prej afro 5 kilometrash do të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve duke ndikuar kështu në lehtësimin e lëvizjes. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi kanë ndjekur punimet në këtë aks duke bërë të ditur ecurinë e tyre.
Krahas ndërtimit të rrugës ka përfunduar edhe mbrojtja lumore, pasi ky lot shtrihet përgjatë lumit të Shkumbinit. Ky segment rrugor është projektuar me parametrat teknik të Kategorisë B, ndërsa janë ndërtuar edhe pikat e aksesit të rrugës për banorët e zonës që shtrihen përgjatë saj.
Aksi i ri rrugor Elbasan-Qafë Thanë do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve duke shkurtuar kohën e udhëtimit si dhe duke rritur njëkohësisht parametrat e sigurisë rrugore.